Drama muzikore „MARTESA“, një trashëgimi kulturore arbëreshe shfaqet në Zagreb

Lidhja kulturore midis Shoqatës Teatrore Shqiptare të Kroacisë "Mërgimtari" dhe shoqatave arbëreshe "Voci di Pace', "Maschera e Volti APP" të Italisë u kurorëzua në Zagreb, me realizimin e dramës MARTESA, sipas poemës së Jeronim de Rades, përshtatja e regjia të Imma Guarascit, aranzhator vokal dhe muzikor Emanuele Armentano. Inisiativa dhe idea për të inskenuar dasmën arbërëshe u propozua nga Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci „Mërgimtari“ për të sjellë në skenën e Zagrebit trashëgiminë dhe kulturën arbëreshe, që jeton prej më shumë se 500 vjetësh.

Drama muzikore “Martesa” u shfaq më 18 tetor në Histrionski dom në Zagreb, si pjesë e edicionit të katërt të Mbrëmjeve Teatrore të Pakicave Kombëtare, organizuar nga Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari”, me mbështetjen e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë

Përmes personazheve, muzikës dhe atmosferës së dasmës, vepra ndërthuri emocionin artistik me kujtesën dhe traditat që kanë përcjellë brez pas brezi shpirtin shqiptar. Interpretimi dhe ndërthurja e teatrit me muzikën krijuan një përjetim të veçantë, ku dashuria, familja dhe zakonet morën jetë para publikut.

Vepra e De Radës, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë arbëreshe, dëshmon edhe një herë se arti është urë që lidh kohët, vendet dhe identitetet. “Martesa” na kujtoi se tradita vazhdon të jetojë sa herë që interpretohet, ndahet dhe përcillet te brezat e rinj.