Më datën 30 dhjetor 2025, në sallën e Teatrit Dodona në Prishtinë u shfaq premiera e shfaqjes KUKULLA, të autorit kroat Miro Gavran, me regji të Naser Shatrollit, aktorë Leonard Hamitaj dhe Qëndresa Jashari, produksioni i Shoqatës Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari”. Shfaqja u realizua si bashkëpunim i Teatrit Mërgimtari të Kroacisë dhe Teatrit Dodona në kuadrin e Ditës së Teatrit Shqiptar në Diasporë dhe u financua nga Këshilli për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë. Shfaqja KUKULLA pasqyron zbrazëtinë emocionale të njëriut të sotëm dhe është një deklaratë e fortë për shoqërinë bashkëkohore, ku teknologjia dhe zëvendësimet artificiale janë dominuese.
Siç theksoi shkrimtari dhe gazetari Skender Zogaj, që e ndoqi shfaqjen “shfaqja vjen si një reflektim mbi epokën e re të inteligjencës robotike, ku kufijtë mes njeriut biologjik dhe krijimit artificial po zbehen gjithnjë e më shumë. Gavrani, me një tekst që rezonon fuqishëm me dilemat bashkëkohore, shtron pyetjen thelbësore: a rrezikon njeriu të zëvendësohet nga krijesa e vet?“. Shfaqjen e ndoqën kryebashkiaku i Prishtinës Përparim Rama, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Athinë Fitim Gllareva, drejtoresha e Teatrit Dodona Arta Muçaj, profesorët universitarë Ekrem Kryeziu, Fadil Hysaj, aktorë, krijuesë të të gjitha fushave, kritikë të artit, shkrimtarë, poetë, muzikante të shquar dhe artëdashës të shumtë. Shfaqja do të shfaqet edhe në Kroaci, Slloveni, Shqipëri e në vendet e tjera të rajonit gjatë vitit 2026-të.
Vështrimi kritik i kritikut Skënder Boshtrakaj për shfaqjen premierë:
„Në prag të ndërrimit të viteve, kur zakonisht mbizotëron dëshira për spektakël të lehtë dhe argëtim të shpejtë, kjo shfaqje zgjodhi një rrugë tjetër: heshtjen, përmbajtjen dhe ballafaqimin me zbrazëtinë emocionale të njeriut bashkëkohor. Ishte një zgjedhje njëkohësisht estetike dhe etike, që e vendosi teatrin përballë funksionit të tij më të vjetër dhe më thelbësor: pasqyrimit kritik të realitetit.
E ndërtuar mbi tekstin e dramaturgut kroat Miro Gavran dhe e vënë në skenë me regji të dramaturgut dhe regjisorit Naser Shatrolli, “Kukulla” shfaqet si një vepër që e përdor komedinë jo për të prodhuar të qeshura të lehta, por për ta zhveshur situatën nga iluzioni i normalitetit. Drama nuk shtyhet drejt farsës, edhe pse materiali dramaturgjik e lejon këtë; përkundrazi, ajo e zhvendosë fokusin nga ngjarja drejt gjendjes, nga veprimi i jashtëm drejt zbrazëtisë së brendshme.
Teksti i Gavranit dhe leximi regjisorial
Teksti i Gavranit ndërtohet mbi një situatë në dukje absurde, por thellësisht të njohur: frikën nga lidhja, shmangien e përgjegjësisë emocionale dhe përpjekjen për ta zëvendësuar marrëdhënien njerëzore me forma artificiale sigurie. Marko nuk është figurë groteske apo devijante; ai është i zakonshëm, i njohur, madje i afërt. Pikërisht ky normalitet e bën tekstin fort të fuqishëm dhe shqetësues. Gavran nuk flet për ekstreme, por për rrëshqitje të vogla, të heshtura, që shoqëria moderne i ka normalizuar.
Në këtë pikë, leximi i Shatrollit merr një peshë vendimtare për kuptimin e shfaqjes. Ai nuk e nxjerr tekstin nga konteksti i tij origjinal, por i jep një ngjyrim të qartë autorial, duke krijuar një tension të vazhdueshëm mes së qeshurës së brendshme dhe trishtimit që lind gjatë përballjes me të vërtetat personale. Komikja nuk shërben si qëllim në vetvete dhe as si zbavitje e lehtë, por funksionon si maskë e ankthit, si mënyrë për t’i mbijetuar zbrazëtisë emocionale që shfaqja e vendos në qendër.
Në këtë qasje, teatri nuk ofron vetëm një çast lehtësimi përmes identifikimit me personazhin, por shndërrohet në pasqyrë tragjikomike, ku publiku ftohet të shohë veten dhe realitetin përreth më qartë. Është një teatër që nuk jep zgjidhje të gatshme, por ngre pyetje dhe ndihmon në çmontimin simbolik të veseve të modernitetit, shmangien emocionale, frikën nga lidhja dhe rehatinë e iluzionit, duke i nxjerrë këto sjellje nga normaliteti i tyre i rremë dhe duke i vënë përballë syrit kritik të shikuesit.
Regjia, mjetet skenike dhe ritmi i heshtjes
Qasja regjisoriale është kërkuese, e përmbajtur, minimale dhe konsekuente. Heshtja, pauzat dhe ritmi i ngadaltë e shndërrojnë skenën në një hapësirë mendore për publikun, më shumë sesa në një mjedis realist. Çdo ndalesë përballë pasqyrës ka peshë; çdo paraqitje e zbrazëtisë flet.
Në këtë kuadër, përdorimi i mikrofonit merr një funksion të qartë dramaturgjik. Ai krijon një përzierje mes të folurit me partnerin dhe të folurit me publikun, mes dialogut intim dhe deklarimit publik. Zëri i amplifikuar e zhvendos komunikimin nga marrëdhënia e drejtpërdrejtë në ekspozim, duke sugjeruar se partneri shpesh nuk është më bashkëbisedues real, por arsyetim i brendshëm, një dëgjues i imagjinuar.
Po ashtu, komunikimi përmes telefonit paraqitet pa insistim, por me qartësi të fortë kuptimore. Telefoni simbolizon lehtësinë e kontaktit modern, por edhe largësinë e tij: lidhjen pa prekje, afërsinë pa prani, dialogun pa kontakt. Ai nuk e zvogëlon distancën, por e konfirmon atë, duke u bërë shenjë e qartë e zbrazëtisë që shfaqja problematizon.
Skenografia si strukturë kuptimore
Skenografia minimaliste, me një protagonizëm të qartë mizanskenik, tashmë element dallues i gjuhës regjisoriale të Shatrollit, është jashtëzakonisht funksionale, praktike dhe simbolike. Pa teprime vizuale dhe pa dekorativizëm të panevojshëm, hapësira skenike krijon një zbrazëti njerëzore, të mbushur me “lodra”, dhe pikërisht kjo zbrazëti bëhet bartëse e kuptimit. Çdo objekt në skenë, kukullat e vendosura në kolona dhe pasqyra në qendër, kanë rol të dyfishtë: praktik dhe metaforik. Hapësira nuk e dominon aktorin, por e mbështetë atë, duke u shndërruar në zgjatim të gjendjes së brendshme psikologjike të personazhit.
Loja aktoriale
Loja e Leonard Hamitajt në rolin e Markos ndërtohet mbi frenim të qëndrueshëm dhe disiplinë emocionale, me një kontroll të qartë të impulsit skenik. Edhe pse struktura e interpretimit mjeshtrisht e luajtur, mbetet e përmbajtur, aktori në disa momente, ka shpërthime demonstrative të kontrolluara, të vendosura saktë në harkun dramaturgjik. Këto kulme nuk funksionojnë si lirime të drejtpërdrejta emocionale, por si pika tensioni që shërbejnë për shfaqjen progresive të karakterit dhe për artikulimin e konfliktit të brendshëm.
Në anën tjetër, Qëndresa Jashari krijon një prani skenike pothuajse robotike: të ftohtë, precize dhe ëmbëlsisht të kontrolluar. Kufiri mes objektit-kukull dhe subjektit-partnere mbetet qëllimisht i paqartë. Ajo nuk synon humanizimin sentimental, por funksionon si pasqyrë e zbrazët, ku projektohen dëshirat, frikërat dhe iluzionet e Markos. Ky ambiguitet e bën rolin dramaturgjikisht të fortë: ajo nuk është personazh klasik, por funksion psikologjik.














