Search
Close this search box.

Kurrikula e lëndës Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare - një instrument strategjik për ruajtjen e gjuhës amtare tek brezat e rinj të shqiptarëve në Kroaci

Ministria e Shkencës, Arsimit dhe Rinisë në Kroaci ka miratuar zyrtarisht Kurrikulën e lëndës “Gjuha dhe Kultura Shqipe” për shkollat fillore dhe të mesme, të njohur si Modeli C, duke i dhënë komunitetit shqiptar një instrument standard dhe afatgjatë për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar brenda sistemit arsimor kroat. Vendimi, i publikuar në “Narodne novine” (Fletorja Zyrtare e Republikës së Kroacisë) më 5 dhjetor 2025 hyri në fuqi dhe zbatohet për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme duke filluar nga viti shkollor 2025/2026.

Mësuesja Melita Orešković ka informuar se grupi i puns për hartimin e Kurrikulës së miratuar nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe Rinisë, përbëhet nga anëtarët e Këshillit të Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë, konkretisht:

Mendu Imeri, Melita Orešković, Vesel Lekaj, Suzana Jakupi dhe Liza Kajtazi

Kurrikula është hartuar në bazë të nenit 27, pika 9 të Ligjit për edukimin dhe arsimimin në shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kroacisë, si dhe nenit 6 dhe 17 të Ligjit për edukimin dhe arsimin në gjuhën e pakicave kombëtare.

“Tani na pret puna për implementimin e kësaj Kurrikule në procesin mësimor të Gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Kroaci. Ky është një hap historik për shqiptarët në Kroaci. Na priftë e mbara!”, thekson Orešković, kryetare e Këshillit të Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë.

Sipas statistikave të vitit 2021, në Kroaci jetojnë 13 817 shqiptarë, një prej 22 pakicave të njohura në Kushtetutë. Miratimi i Kurrikulës shënon një hap më shumë, që shteti kroat ndërmerr për standardizimin e programit mësimor të gjuhës shqipe për ciklin fillor dhe të mesëm.

Dokumenti nënvizon rolin e gjuhës shqipe si shtylla kryesore e identitetit kombëtar, duke cituar Eqrem Çabejn: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe kulturës së tij.”

Kurrikula mbështetet në tre fusha kryesore kompetencash:

1. Flas dhe shkruaj në gjuhën shqipe

Zhvillim i aftësive të komunikimit, të kuptuarit, shkrimit dhe përdorimit funksional të gjuhës.

2. Lexoj dhe krijoj

Njohja me letërsinë shqipe, interpretim tekstesh, krijimtari letrare dhe zhvillim i mendimit kritik.

3. Hulumtojmë kulturën dhe median

Njohja e kulturës, historisë, traditave shqiptare, aktivitet praktike, punë projektuale dhe edukim multikulturor.

Kurrikula është hartuar për t’iu përshtatur niveleve të ndryshme të shqipes, që kanë nxënësit shqiptarë në Kroaci. Ajo parashikon rezultate të hapura të të nxënit, që mundësojnë një qasje fleksibël nga klasa e parë deri në fund të gjimnazit.

Ky vendim është i një rëndësie të veçantë sepse standardizon për herë të parë programin e gjuhës shqipe në Kroaci, duke krijuar një bazë të qartë dhe të unifikuar mësimore. Ai forcon identitetin kulturor të komunitetit shqiptar dhe rrit praninë e kulturës sonë në sistemin arsimor kroat. Për më tepër, vendimi nxit integrimin, respektin dhe bashkëjetesën ndërkulturore, duke krijuar ura komunikimi mes komuniteteve. Kjo kurrikulë shikohet si një instrument strategjik për ruajtjen e gjuhës amtare tek brezat e rinj të shqiptarëve në Kroaci, por edhe si një model i shkëlqyer bashkëpunimi mes institucioneve kroate dhe komunitetit shqiptare.