Search
Close this search box.

FËMIJËT E ZAGREBIT, VELIKA GORICËS, CELJES DHE VELENJËS FESTUAN SË BASHKU 1 QERSHORI NË SLLOVENI

Fëmijët shqiptarë të Zagrebit, Velika Goricës (Kroacisë) dhe të Celjes e Velenjës (Sllovenisë) festuan në qytetin e bukur të Celjes 1 Qershorin - Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, nën kujdesin e veçantë të Vera Halitit, mësueses së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Celje dhe Melita Orešković, mësueses së mësimit të gjuhës shqipe në Zagreb dhe Velika Goricë.

Aktiviteti u organizua nga: Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci „Mërgimtari“ dhe Shoqata Kulturore Shqiptare „Besa“-Celje, Shkolla Shqipe Celje, Këshilli i Mësuesve Shqiptarë në Kroaci, Shkolla Fillore „Eugena Kumičića“ e Velika Goricës.

Nxënësit e Kroacisë, të shoqëruar nga mësuesja e tyre Melita Orešković dhe disa prindër udhëtuan në orët e para të mëngjesit me tren nga Zagrebi për në Celje, për të festuar së bashku me fëmijët e Sllovenisë, por dhe për të vizituar qytetin e bukur të Celjes. Udhëtimi me tren ishte mbresëlënës, fëmijët shijuan pejsazhet e bukura të natyrës së Kroacisë dhe Sllovenisë.

Programi artistik i fëmijëve u mbajt në skenën verore të Qendrës Rinore të Celjes, ku në fillim fjalën përshëndetëse e morrën mësuesja Vera Haliti, mësuesja dhe përfaqësuesja e Shoqatës Teatrore Shqiptare në Kroaci „Mërgimtari“ Melita Orešković, Selda Sukaj, Ardiana Begaj, Bardha Kolukaj nga Shoqata Kulturore „Liria“ Velenjë dhe të ftuarit e nderit: ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Oljan Kanushi dhe ambasadori i Republikës së Kosovës z.Valdet Sadiku, të cilët i uruan festën fëmijëve, falenderuan prindërit që kontribuojnë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe shprehën mirënjohje të veçantë për mësueset, që nëpërmjet dijes u dhurojnë fëmijëve shumë kujdes e dashuri.

Fëmijët e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare të Zagrebit, Celjes dhe Velenjes dhe fëmijët e moshës parashkollore shpalosën talentin e tyre me recitime, këngë në gjuhë shqipe, vallëzuan valle shqiptare, madje dhe kërcime moderne nën tingujt e hiteve të muzikës botërore. Gjithashtu sollën mesazhe shumë të bukura për të drejtat e tyre: për arsimim, kujdes shëndetësor, mbrojtje, lirinë e fjalës, për të luajtur, pa harruar dhe detyrat që iu përkasin.

Në program morri pjesë dhe kantautori i ri Luan Haliti, këndoi një këngë të kompozuar nga ai, që u pëlqye dhe u duartrokit shumë nga të pranishmit dhe njëkohësisht u kujdes për drejtimin teknik të programit artistik të fëmijëve.

Më pas 55 fëmijë pjesëmarrës të shoqëruar nga mësueset e tyre dhe disa prindër shkuan në parkun e qytetit të Celjes, ku vazhduan lojërat sportive si: tërheqje me litar, loja e stafetës, lojë më top. Pasi përfunduan lojërat në parkun e gjelbërt pjesëmarrësit pushuan dhe gjatë piknikut shijuan ushqimet e përgatitura nga sponzorët fast food BUCO, DOBER TEK dhe STARA PEKARNA të Celjes.

Mësuesja Vera Haliti u kujdes për çdo etap të programit dhe të gjithë pjesëmarrësit nën drejtimin e saj udhëtuan me autobus për tek Kalaja e Celjes, ku aty na priste edhe ciceronja turistike, që na foli për historinë e Kalasë, legjendat dhe tragjeditë e familjes së kontëve Celjski, të dashurisë së ndaluar të Fridrik Celjskit dhe Veronika Desemiškit, që përfundoi në tragjedi për Veronikën, të cilën e murrosën në muret e fortesës së Velika Taborit, që ndodhet në Kroaci, ndërsa Fridrikun babai e mbylli në kullën, që quhet Kulla e Fridrikut. Fundi tragjik i Veronikës është i ngjashëm me Rosafën e Shkodrës.

Mësuesja Vera përktheu në gjuhën shqipe gjatë gjithe vizitës në ambientet e kalasë, kështu që fëmijët dëgjuan më vëmendje historinë dhe bënë pyetje nga më të ndryshmet:
Si kanë jetuar kontët? Si i kanë pasur orenditë shtëpiake, p.sh. krevatët? Cfarë ushqim kanë konsumuar ? Si e kanë mbajtur higjienën personale?

Pjesëmarrësit u mahnitën nga pejsazhi i mrekullueshëm i qytetit të Celjes i parë nga kalaja, lumi i Savinjes që përshkon qytetin, urat që lidhin pjesët e qytetit, parqet dhe kodrat e gjelbërta përreth, çatitë kafe të shtëpive, rrugët e pastërta.

Kalaja e Celjes është fortesë mesjetare e shekullit të XII, më e madhe dhe më e famshme në Slloveni, dhe me të shoqërohen shumë legjenda dhe histori interesante. Kështjella e Celjes quhet dhe qyteti i kontëve të Celjes, ndodhet në një kodër mbi qytet, pikërisht mbi grykëderdhjen e lumit Voglajna në lumin Savinje.

Mbas kthimit nga kalaja pjesëmarrësit vizituan qytetin e Celjes, shëtitën në Sheshin e vjetër të qytetit, duke u mrekulluar me stilin e arkitekturave të Shtëpisë së Kulturës së Celjes, Bibliotekës Qëndrore të qytetit, ndërsa zbulimet arkeologjike do t’i eksplorojnë fëmijët në vizitën e ardhshme në Celje.

Në mbrëmje, nxënësit e Zagrebit dhe të Velika Goricës udhëtuan përsëri me tren nga Celja për tu kthyer në shtëpi, të kënaqur, të gëzuar se festuan 1 Qershorin dhe kaluan një ditë të paharruar më moshatarët e tyre të Celjes e Velenjës, vizituan qytetin e bukur të Celjes dhe mësuan për historinë e Kalasë mesjetare të Celjes në gjuhën shqipe.

Falenderojmë mësuese Vera Halitin për organizimin, fëmijët, mësueset e tjera dhe prindërit për mikëpritjen dhe i gëzohemi bashkëpunimit të bukur për projekte edukative me nxënësit, që i shërbejnë ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare!

Ju mirëpresim në bashkëpunimin e rradhës në Kroaci!