Search
Close this search box.

Më fol në gjuhën tënde, program shumëgjuhësor i nxënësve të pakicave kombëtare të Zagrebit

Nxënësit e pakicave kombëtare të Zagrebit më 8.03.2025, në Qendrën Studentore S. Radić në Zagreb, shënuan Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, në të cilën u mbajt programi i nxënësve që mësojnë gjuhët shqipe, boshnjake, çeke, hungareze, maqedonase, polake, ruse, srbe dhe ukrainase, sipas modeleve B e C në sistemin arsimor të Republikës së Kroacisë.

Ky manifestim multikultural mbahet prej 11 vitesh në Zagreb dhe është kthyer në një traditë, ku nxënësit e shumë komuniteteve të Zagrebit festojnë së bashku, duke recituar, aktruar, vallëzuar, kënduar dhe brohoritur në shumë gjuhë.

Në programin shumëgjuhësor të përgatitur nga nxënësit dhe mësueset, të titulluar " Më fol në gjuhën tënde", morrën pjesë nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, sipas modelit C të Shkollës Fillore "Eugen Kumičić" të Velika Goricës, me dy këngë të bukura të shoqëruara me koreografi, recitime, citate.

Manifestimi u organizua nga Koordinacioni i këshillave dhe përfaqësive të pakicave kombëtare të Zagrebit, ndërsa u përgatit nga mësueset dhe nxënësit e komuniteteve.

Melita Orešković mësuese dhe drejtuese e seksionit dramatik dhe të kërcimit të fëmijëve në Shoqatën Teatrore Shqiptare në Kroaci „Mërgimtari“ theksoi „ Ky program më lindi si ide në vitin 2014, të cilën e përkrahën koleget e të gjitha gjuëeve amtare të Zagrebit. Programin çdo vit e pasurojmë me elemente të reja dhe realizohet në bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha mësueset e gjuhëve amtare të Zagrebit. Kur e paraqita si projekt në 2014 në Koordinacionin e Zagrebit e titullova "Më fol në gjuhën tënde".Përse e titullova kështu?- do të pyesni ju.

Idea ime ishte, që ky të ishte një program shumëgjuhësor, e frymëzuar edhe nga fakti, që Zagrebi si qytet multikultural i ofron komuniteteve shumë mundësi për të ruajtur e zhvilluar traditat e tyre kulturore e gjuhësore.

E titullova kështu, duke pasur parasysh, që në Ditën e Gjuhës Amtare do të merrnin pjesë nxënës të shumë komuniteteve, që do të flisnin, tregonin, recitonin, këndonin apo aktronin secili në gjuhën e tij, ndoshta nuk do të kuptonin njëri-tjetrin çfarë flisnin. Por secili do të thoshte: Më fol në gjuhën tënde, se edhe përse nuk të kuptoj, të dëgjoj, të respektoj se ajo është gjuha e nënës tënde, është identiteti yt!

Dhe sot e them me krenari, që kjo është vërtetë një feste multikulturale, shumëgjuhësore shumë e bukur, ku nxënësit janë miqësuar dhe mezi presin çdo vit ta festojnë!“