Search
Close this search box.

Program artistik i nxënësve të mësimit shqip në manifestimin Ditët e Pakicave Kombëtare të Zagrebit

Në Zagreb, më 30.09.2023, në kuadrin e manifestimit “Ditët e Pakicave Kombëtare të Zagrebit” në Parkun Zrinjevac, u mbajt mësimi i hapur i klasave të gjuhëve të pakicave, në të cilën morën pjesë nxënësit që mësojnë gjuhët shqipe, çeke, hungareze, maqedonase, polake, boshnjake, hebreje, ukrainase, që janë të inkuadruara në sistemin arsimor kroat.

Kishim stendën për gjuhën shqipe e kulturën shqiptare të mbushur plot me materiale didaktike, libra, makete, punime vizatimi dhe shkrime të nxënësve të mësimit shqip. Nxënëset e klasave të teta dhe shkollës së mesme Melita, Fjolla, Flora dhe mësuesja iu shpjegonin vizitorëve zagrebas dhe turistëve të interesuar për gjuhës shqipe veçoritë e gjuhës, alfabetin dhe ndonjë fjalë që ata dëshironin të mësonin”.

Nxënësit e klasës së parë dhe fëmijët e moshës parashkollore në tavolinat e punëtorisë luajtën me lojëra gjuhësore, shkruajtën e vizatuan, për ta kishim materialet e përgatitura në gjuhën shqipe.

Gjithashtu mësueset e gjuhëve amtare të pakicave kishin përgatitur edhe një fjalor të vogël në tetë gjuhë me këto fjalë:

Përshëndetje! Mirëdita! Mirëupafshim! Faleminderit! Si je? Të dua!

Në ditën e parë, në programin artistik nxënësit e mësimit shqip nën drejtimin e mësueses dhe drejtueses së seksionit të fëmijëve të Shoqatës Teatrore në Kroaci „Mërgimtari“ morën pjesë me korin e vajzave të vogla që kënduan këngën “Moj bubrrec” të veshura me kostumet e mollëkuqeve, ndërsa fëmijët e tjerë recituan poezitë: “Për një d që ti se vë”, ” Gjuha jone”, ” Pavarësia”, “Atdheu”.