Shfaqja „GRETA DHE ROBOTI INTELIGJENT“- fituese e tre çmimeve

Nxënësit e mësimit shqip të Shkollës Tetëvjeçare Eugen Kumičić të Kroacisë u paraqitën në Festivalin Ndëkombëtar Teatror tē Fëmijëve në Gjuhën Shqipe, që u zhvillua në Zagreb prej 30 tetorit deri më 1 nëntor 2026, krahas 8 grupeve konkuruese të diasporës, Shqipërisë dhe Kosovës, me shfaqjen GRETA DHE ROBOTI INTELIGJENT, skenari, regjia ishin përgatitur nga mësuesja e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare Melita Orešković.

Shfaqja me tematikën bashkëkohore, nëpërmjet personazhit kryesor Gretës, situatave komike dhe lojës së shoqeve të klasës dhe motrës së saj, që sjellin në klasë ROBOTIN inteligjent, përcjolli mesazhe shumë edukative për nxënësit dhe tregoi se si mund të përdoret inteligjenca artificiale në shërbim të mësimit shqip në mënyrë interesante edhe në skenën e teatrit.

Nxënëset aktore: Greta, Nora, Nesa, Altea, Anela, Donjeta, Orgesa, Zajmina, Rinori me interpretimet e tyre u pëlqyen dhe duartrokitën nga fëmijët e grupeve të tjera konkuruese dhe publiku i shumtë në sallë. Nxënësit, jo vetëm që interpretuan rolet në skenë, por kishin punuar së bashku me mësuesen në krijimin e skenografisë dixhitale, pra kjo vepër e bukur teatrale është fryt i një punë të bërë me pasion e shumë dashuri.

Shfaqja u vlerësua nga juria profesioniste me 3 çmime:

Shfaqja më e mirë e nxënësve të diasporës

Aktorja kryesore Greta Gashi u vlerësua me çmimin aktorja më e mirë e karakterit.

Regjia më e mirë nga Melita Orešković