TEATRI DHE EDUKIMI IDENTITAR

Sot, mjerisht, për arsye të ndryshme, pothuaj se gjysma e shqiptarëve jetojnë dhe punojnë jashtë hapësirës etnike shqiptare, duke krijuar në njëfarë mënyre një ‘Shqipëri të dytë’. Sigurisht që për ndërgjegjen kulturore/kombëtare (personale e kolektive) sfida më e madhe është edukimi identitar i fëmijëve dhe të rinjve. Ky edukim përbën premisën themelore kah një integrim i mirëfilltë në shoqërinë e vendit pritës. Jo vetëm në kuadër të mësimit të gjuhës amtare dhe të kulturës së prejardhjes, ose më saktë, siç e quajmë në përditshmërinë tonë, Shkollës Shqipe në Diasporë (tashmë si forma më e popullarizuar e përkujdesjes identitare ndaj qytetarëve me sfond migrimi), sot teatri dhe veprimtaritë kulturore e artistike skenike kanë rol të rëndësishëm dhe atë para së gjithash për faktin se jo vetëm që pranohen me kënaqësi nga fëmijët dhe të rinjtë, por aty përmes lojës, interpretimit, këngës, vallëzimit etj. e gjejnë veten në role subjekti. 

Prej 30.10-01.11.2026, i ftuar nga Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci ‘Mërgimtari’ (organizatore e festivalit) në cilësinë e anëtarit të jurisë, pata nderin të ndjek dhe të vlerësoj në Zagreb edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar Teatror të Fëmijëve në Gjuhën Shqipe. I emërtuar formalisht si ngjarje ndërkombëtare, në të vërtetë qe një festival kombëtar shqiptar, i cili tuboi grupe teatrore të shkollave të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe të Shkollës Shqipe në Diasporë (Kroaci, Slloveni, Gjermani) të nivelit të arsimit fillor ose të arsimit të mesëm të ulët. Ky festival është projektuar dhe po organizohet shkëlqyeshëm nga shoqata e sipërpërmendur ‘Mërgimtari’ (i referohet regjisorit e aktorit Leonard Hamitaj) dhe Shkollës Shqipe në Zagreb (mësueses Melita Oreshkoviq). 

Ndërkaq, mbështet financiarisht nga Këshilli për Pakicat Nacionale dhe Ministria e Arsimit.....e Kroacisë. Për fat të keq, përveç fjalëve të bukura, ende nuk ka pasur një mbështetje konkrete nga institucionet e Shqipërisë apo të Kosovës.

Në këtë edicion, 9 shfaqje, edhe me tekste autoriale të po drejtuesve apo të regjisorëve/eve të grupeve, përbënin një larmi të admirueshme tematike dhe interpretimi skenik. Dhe, pa dyshim, në përputhje edhe me qëllimin e vetë festivalit, në qendër të vëmendjes qe edukimi identitar (gjuha, kultura, trashëgimia e prejardhjes) i fëmijës apo të riut mërgimtar dhe jo vetëm. Një baraspeshë ndërmjet përmasës artistike, pedagogjike e morale të shfaqjes (lexo edhe qëllimeve) i karakterizoi pothuaj të gjitha shfaqjet. Bile, jo pak shfaqje do t’i rekomandoja edhe si shembuj të shkëlqyeshëm orësh mësimore (arti/teatri në funksion didaktik).

Vështirësia e vlerësimit (veçmas rreziku i pranisë së situatave ‘diskriminuese’ që bart jo rrallë gara në shkollë) u shmang falë shumësisë së shpërblimeve sipas zërave e termave konkretë teatrorë, që i kishte menduar organizatori me kohë, dhe qasjes së jurisë vërtet kompetente (pata nderin të vlerësoja përkrah regjisores së talentuar, Olta Poshka, dhe mësuesit të përkushtuar, Hamzë Morina). Së këndejmi, të gjithë nxënësit dhe subjektet e tjerë u ndjen fitues. Veçmas, fitues dhe shumë të çmuar e të respektuar dolën bartësit kryesorë të këtij festivali, pothuaj se unik në hapësirën e komunikimit artistik, arsimor e kulturor shqiptar: Mësuesja Melita Oreshkoviq dhe regjisori Leonard Hamitaj. 

Stoga su se svi učenici i ostali subjekti osjećali kao pobjednici. Posebno su se kao pobjednici istaknuli te bili visoko cijenjeni i poštovani glavni nositelji ovog festivala, gotovo jedinstvenog u prostoru albanske umjetničke, obrazovne i kulturne komunikacije: učiteljica Melita Orešković i redatelj Leonard Hamitaj.

Autor Nuhi Gashi