Përfaqësuesit e Shoqatës Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari” u takuan në Zagreb me kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasamin.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami më datën 14 nëntor 2026 zhvilloi vizita zyrtare në Zagreb, ku u takua me kryetarin e Bashkisë së Zagrebit Tomislav Tomašević dhe më pas me përfaqësuesit e Shoqatës Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari” dhe të Këshillit të Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë, ku biseduan për bashkëpunime në fushën e arsimit dhe të kulturës.

Kryetari i shoqatës Leonard Hamitaj e informoi me veprimtarinë e Teatrit Mërgimtari, për seksionet e teatrit, punën që është bërë në vite me fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit, duke sjellë në skenat e teatrove të Kroacisë, të rajonit dhe të Europës rreth 80 shfaqje teatrore, ku përfshihen 14 premiera dramash e komedish, spektakle e tjerë.

Gjithashtu mësuesja Melita Oreshkoviq e informoi për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare sipas modelit C, që zhvillohet në kuadër të sistemit të arsimor kroat dhe për problemet që shqetësojnë mësuesit në lidhje me numrin e vogël të nxënësve, fëmijët e anëtarëve të komunitetit shqiptar të cilët frekuentojnë mësimin shqip në qytetin dhe prefekturën e Zagrebit dhe që duhet të ndërgjegjësohen se mësimi i gjuhës shqipe ndikon drejtëpërdrejtë në ruajtjen e identitetit shqiptar tek brezat e rinj.

Kryetari u shpreh “ Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari” është një vatër e rëndësishme e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, duke përgëzuar për angazhimin dhe përkushtimin në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar përmes artit dhe teatrit. Mbështetja e aktiviteteve të tilla është investim në kulturën dhe lidhjen tonë kombëtare, kudo që jetojnë shqiptarët!