Me rastin e festës së 1 Qershorit, nxënësit e mësimit shqip, festuan në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, ku u pritën nga ambasadorja Sh. e Saj znj. Donika Hoxha dhe diplomate të tjera. Fëmijët mbjajtën një program të bukur artistik me recitime të poezive të autorëve të njohur të letërsisë shqiptare Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, si dhe kënduan këngë shqiptare.
Më pas, fëmijët vazhduan një bashkëbisedim të ngrohtë dhe shumë mbresëlënës me ambasadoren Hoxha, duke i drejtuar pyetjet: A ka ambasadorë të fëmijëve? A munden ata të kenë dyshtetësi shqiptare dhe kroate? A është i vështirē profesioni i diplomatit? A e kishte ëndërruar ambasadorja këtē profesion që e vogël? Cilat kanë qenë lodrat, që luanin fëmijët në të kaluarën? Çfarë bën ambasada për t'ju ardhur në ndihmë familjeve shqiptare?
Ambasadorja Hoxha shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë organizim, duke falenderuar fëmijët, mesuesen dhe prindërit dhe iu përgjigj me shumë dashuri pyetjeve të fëmijëve. Ajo tregoi për shërbimet konsullore të ambasadës, që iu ofrojnë shtetasëve shqiptarë, për dyshtetësinë, kujtimet e saj të fëmijërisë dhe ëndërrën që iu realizua duke u bërë diplomate dhe ambasadore.
Gjithashtu ambasadorja përcolli mesazhin: Fëmijët janë ambasadorët e vërtetë, ndaj duhet të mësojnë, të integrohen në shoqërine kroate, por pa u asimiluar, të mësojnë gjuhën shqipe e kulturën shqiptare dhe të ndihen gjithmonë krenarë, që janë shqiptarë.
Më pas theksoi, se Ambasada e Shqipërisë dhe shteti shqiptar do të jenë gjithmone mbështetja e fëmijëve dhe e familjeve shqiptare. Pjesë e festës ishte dhe ekspozita e punimeve të nxënësve të mësimit shqip nga e gjithe Kroacia, të cilat ishin ekspozuar nē ambientet e ambasadës. Nxënësit në ambasadë u shoqëruan nga mësuesja Melita Orešković, e cila foli për punën që bën me nxënësit për realizimin e programeve edukativo-kulturore, për projektet e ardhshme dhe mbështetjen e vazhdueshme të prindërve, që nuk mungon asnjëherë. Ambasada kishte përgatitur dhurata për fëmijët, koktej rasti dhe tortën me mbishkrimin: Gëzuar 1 Qershorin!













