Në Zagreb, prej 31 tetorit deri më 2 nëntor 2025, në Shtëpinë e Kulturës Çeke u mbajt manifestimi kulturor Trashëgimia Kulturore Shqiptare, ku morrën pjesë nxënësit shqiptarë të diaspores; nga Kroacia, nxënësit e Zagrebit, Velika Goricës, Stubiçke Toplicës; nga Celje e Sllovenisë; Vjena e Austrisë; Fano e Italisë; Greqia dhe nga shkollat tetevjeçare dhe të mesme të Mitrovicës, Vlorës dhe Shkodrës.
Manifestimi u organizua nga Këshilli i Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë dhe Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari” me mbështetjen financiare të Ministrisë së Shkencës, Arsimit dhe të Rinjve të Kroacisë dhe Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë.
Programi filloi me programin artistik të nxënësve, të cilët recituan e kënguan këngë shqiptare, luajtën në fyell dhe në piano muzikë shqiptare, të shoqëruar nga duartrokitjet e publikut të shumtë. Më pas vijoi me shfaqjen e filmave të animuar për legjendat shqiptare të skenaristes dhe regjisores Eliona Thomaraj: Legjenda e Vendit t’Shenjt dhe Legjenda e Argjiros. Në përfundim regjisorja Thomaraj zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë me nxënësit dhe të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e filmave të animuar për legjendat. Nëpërmjet tyre fëmijët mësojnë për historine, traditat e bukura dhe vetitë që karakterozojnë popullin shqiptar, si besa, guximi, mikëpritja e tjerë.
Në ditën e dytë të manifestimit programi vazhdoi me prezantimin e veshjeve popullore shqiptare, si pjese e trashëgimisë kulturore shqiptare nga nxënësit, të cilët sfiluan dhe prezantuan veshjet e shumë krahinave shqiptare. Në kuadër të këtij programi profesorja Luljeta Dano mbajti ligjëratën online me temë: Xhubleta - veshje shqiptare nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Pjesë e programit ishte dhe shëtitja edukativo - turistike në Zagreb nën drejtimin e cicerones turistke Đurđica Ramqaj në gjuhën shqipe, për nxënësit, mësuesit dhe pjesëmarrësit e tjerë, ku u njohën me historine e Zagrebit, objektet kulturore, lidhjet kroato - shqiptare, si dhe kontributin e shqiptarëve dhe të arbëneshëve në zhvillimin ekonomik e kulturor të Kroacisë.
Në ditën e tretë u mbajt promovimi i librit për fëmijë “Në Shpellën e Kreshnikëve” të autores Luljeta Dano, pjesë e të cilit janë dhe fletët e punës që mësueset mund t-i punojnë me nxënësit e tyre të mësimit shqip.
Manifestimi përfundoi me programin artistik të shkollave të Vlorës dhe Shkodrës, ku prezantuan këngët tradicionale shqiptare dhe kercyen të gjithë se bashku vallet e bukura shqiptare.




























