Në Zagreb, më 26 tetor 2024, në sallën e Kinemasë CineSTar, u mbajt një event i veçantë kushtuar trashëgimisë shqiptare, ku u prezantuan filmat e animuar në gjuhën shqipe “Legjenda e Argjiros” dhe “Legjenda e Vendit të Shenjt”, të realizuar nga skenaristja e regjisorja Eliona Thomaraj dhe piktori e skenografi Bledar Grecaliu. Filmat, të shfaqur në gjuhën shqipe me titra në anglisht, përçuan mesazhe të forta për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe i dhanë publikut mundësinë të njohë thellë legjendat shqiptare përmes artit të animuar.
Ky eveniment u organizua nga: Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari”, Këshilli i Mësuesve Shqiptarë në Kroaci, Ambasada e Republikës së Shqipërisë, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës, Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe financimin e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë.
Udhëheqësja e projektit Melita Orešković është kujdesur prej idesë për shfaqjen e filmave të animuar, zgjedhjen e kostumeve popullore për ceremoninë e hapjes deri në realizimin në sallën e kinemasë, sigurisht me ndihmë e vyer te regjizores Eliona Thomaraj dhe anëtarëve të Shoqatës “Mërgimtari”. Kostumet popullore u mundësuan nga Fondacioni Tradita Popullore,Tiranë.
Pjesëmarrësit i nderuan me praninë dhe fjalët përshëndetëse ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Martin Berishaj; e ngarkuara me punë e ambasadës së Republikës së Shqipërisë, znj. Alma Kasa; gazetarja dhe regjisorja znj. Shenide Bilali; regjisorja znj. Eliona Thomaraj; si dhe znj. Melita Orešković, mësuese, kryetare e Këshillit të Mësuesve Shqiptarë ne Kroaci dhe drejtuese e seksionit teatror të fëmijëve të Shoqatës Teatrore Shqiptare në Kroaci „Mërgimtari“.
Atmosferën e ngjarjes e gjallëruan anëtaret e Shoqatës Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari”, të veshura me kostume popullore origjinale nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, të sjella posaçërisht nga Tirana, ndër to veçojmë Xhubletën si trashëgimi shqiptare në UNESCO. Këto veshje tradicionale prezantuan trashëgiminë materiale të kulturës shqiptare, ndërsa filmat treguan për trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar.
Eventi tërhoqi një audiencë të gjerë shqiptarësh dhe kroatësh, ndër ta shumë fëmijë dhe prindër. Fëmijët ishin të mrekulluar nga filmat, ndërsa në fund patën mundësinë të bisedonin me regjisoren për procesin e krijimit, ide dhe sfida të prodhimit të filmave të tillë. Një fëmijë u shpreh se kishte lexuar më parë “Legjendën e Argjiros”, por filmi ia solli historinë më pranë përmes zërave, muzikës dhe pamjeve të gjalla. Filmat janē te bukur edhe per te rriturit, se nepermjet tyre mëson për historinë tonë shqiptare, për ritet dhe cilësit e bukura, që e karkterizojnë popullin shqiptar si: besa, trimëria, dashuria, mikëpritja e të tjerë.
Gjatë bisedës me fëmijët regjizorja Thomaraj tha „ ..Legjendat janë guri i themelit të identitetit tonë shqiptar, ato janë përcjellë gojarisht nga nëna tek fëmija në breza. Ndërsa sot në kohën moderne të teknologjisë, nënat nuk kanë shumë kohë për tu treguar fëmijëve, ndaj na lind detyra neve, që të marrim kulturën tonë, ta përkthejmë dhe ua në filma të animuar sjellim më pranë fëmijëve..“
Organizatorja e këtij projekti Melita Orešković ndër të tjera theksoi „Ky projekt synon të lidhë fëmijët e diasporës me gjuhën, historinë dhe traditat shqiptare. Unë, si mësuese me metodikat mësidhënëse dëshiroj, që nxënësit e mësimit shqip të mësojnë historinë, traditat, gjuhën shqipe edhe nëpërmjet artit, qoftë ky kinematografik, skenik, muzikor apo figurativ.
Pra edukimi i fëmijëve nëpërmjet artit i afron ata më afër me historinë, me këngët, muzikën, teatrin dhe i bën pjesë të tyre me pjesëmarrjen aktive në shfaqjet teatrore, si përshembull në vitin 2024 Shoqata Teatrore „Mërgimtari“ ka vënë në skenë me nxënësit e mësimit shqip komedinë për fëmijë: „Çimi dhe roboti budalla“.
Ndër vite fëmijët kanë aktruar në dramatizimet e legjendave, të cilat i kam skenuar unë, si: Djali dhe shqiponja, Kthimi i Skenderbeut, Porosia e fundit e Skenderbeut, Fundi eshte memec, Hëna dhe dielli.
Këto filma të animuar do të shfaqen edhe në shtete të tjera të Europës me kërkesën e mësuesve të gjuhes shqipe të diaspores, të cilët e vlerësojnë shumë rëndësinë e këtij projekti.
Shfaqja e filmave të animuar për legjendat shqiptare në Zagreb dhe qytetet të tjera të Kroacisë do të bëhet traditë, ku çdo vit do të shfaqim filma të rinj për legjenda të tjera shqiptare“.























