Më 18 shkurt në Bibliotekën e qytetit, “Bogdan Ogrizović”, në mësimin e hapur, që zgjati plotë dy orë, kushtuar rrugëtimit të Kosovës deri në fitoren e Pavarësisë, nxënësit e mësimit shqip nën drejtimin e mësueses së tyre Melita Orešković, kanë qenë të mrekullueshëm. Ata folën, bashkëbiseduan, prezantuan, recituan, vallëzuan e brohoritën për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. I ftuar i nderit që bashkëbisedoi me nxënësit, prindërit dhe të ftuarit për kontributin e tij dhe të shokëve si luftëtar dhe epror i UÇK ishte z. Nexhip Hajdari.
Nderoi me pjesëmarrjen e tyre ambasadori i Kosovës z. Martin Berishaj, ambasadori i Shqipërisë z. Riza Poda së bashku me bashkëshorten znj.Ilda Poda, ambasadori i Maqedonisë së Veriut z. Milaim Fetai, të gjithë stafet e ambasadave shqiptare, anëtarë të komunitetit shqiptar dhe kroatë. Gjithashtu na nderuan me pjesëmarrjen e tyre përfaqësuesi i pakicës shqiptare të Koprivnices Driton Prekazi dhe zëvendësi i tij. Veç të ftuarve dhe fëmijëve bashkëbisedues ishin edhe prindërit e nxënësve.
Fëmijët gjithashtu recituan dhe nxënëset Eltrina Grembi dhe Lorenda Krasniqi kërcyen vallen më muzikën e këngës kushtuar pavarësisë së Kosovës. Aktori Leonard Hamitaj interpretoi monologun PLISI.
Organizatorë të programit ishin: Nxënësit, mësuesja dhe prindërit; Këshilli i Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë dhe Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci“Mërgimtari“ me mbështetjen financiare të Këshillit për Pakica Kombëtare të Republikës së Kroacisë.




