Search
Close this search box.

Programi “ Më fol në gjuhën tënde“

Më 16 Mars 2024, në sallën e Qendrës Studentore Stjepan Radić, në Zagreb, nën organizimin e Kordinacionit të Këshillave dhe Përfaqësive të Pakicave Kombëtare të Zagrebit, nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare të Zagrebit dhe Prefekturës së Zagrebit së bashku me nxënësit që mësojnë gjuhët amtare: çeke, boshnjake, hungareze, maqedonase, ruse, polake, srbe, ukrainase festuan Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare dhe 10 vjetorin e programit "Më fol në gjuhën tënde".

Ishte një feste e bukur shumëgjuhësie, ku morrën pjesë mbi 100 nxënës, në sallën e mbushur plotë me fëmijë, prindër, mësues, anëtarë të këshillave, organizatave të pakicave kombëtare dhe kroatë. Nxënësit recituan në gjuhën shqipe pjesë nga poema „Bagëti e bujqësi“, „Edhe unë kam të drejtë!“, „Abetare“, „Kryefjala e fjalëve“, ndërsa Hira e arsimit parashkollor këndoi këngën „Zemra më rreh për Shqipërinë“, që u pëlque shumë dhe u duartrokit nga publiku.

Programin e përshëndetën kryetari i Kordinacionit të Këshillave dhe Përfaqësive të Pakicave Kombëtare të Zagrebit, Armin Hodžić dhe përfaqësuesja e Zyrës për Kulturë dhe Shoqërinë Civile të Bashkisë së Zagrebit, Ljiljana Klašnja, e cila falenderoi nxënësit dhe mësueset, në mënyrë të veçantë ideatoren e këtij programi dhjetëvjeçar mësuesen Melita Orešković, njëkohësisht dhe drejtuesen e seksionit të dramës per fëmijë të Shoqatës Teatrale Shqiptare në Kroaci „Mërgimtari“.