Në Zagreb, më 2 tetor 2022, në sallën e Teatrit të Kukullave u shfaq premiera e monodramës TORBA, të autorit e regjizorit Naser Shatrolli, ku interpretoi aktori Leonard Hamitaj.
Premierën e ndoqën ambasadori i Shqipërisë z. Riza Poda, ambasadori i Maqedonisë së Veriut z. Milaim Fetai, nga ambasada e Kosovës z. Xhevdet Sopaj. Gjithashtu premiera u ndoq edhe nga shumë intelektualë dhe artistë nga komuniteti shqiptar, malezez, slloven boshnjak e kroatë.
Shfaqja Torba është produksion i Teatrit „Mërgimtari“ të Kroacisë dhe Teatrit AAB „Faruk Begolli“&Artimage të Kosovës. Ass regjizor Ardit Rushiti, kompozitor Drinor Zymberi, kostumografe Flutura Dedinja, skenografia nga Agron Blakqori&Naser Shatrolli, përgjegjës i ndriçimit Amir Petrovci&Albert Gashi, dizajn i plakatit Valdet Hajdari.
Premiera u shfaq në kuadër të shënimit të Ditës së Teatrit Shqiptar në Diasporë dhe në ditët e Festivalit Teatror të Pakicave Kombëtare të Kroacisë. Në të cilin morrën pjesë edhe Teatri Draft nga Tuzla, Bosnja e Hercegovina dhe aktori i mirënjohur malazez Slobodan Marunović nën organizimin e Shoqatës Teatrore Shqiptare në Kroaci „Mërgimtari“.
Shfaqja e monodramës TORBA u realizua me mbështetjen e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë.
Agron Gerguri, dramaturg e kritik i teatrit i cili ndoqi parapremieren në Prishtinë në sallën e Teatrit AAB „Faruk Begolli“ në analizën e tij për shfaqjen shkruan „
Në kërkim të vetvetes, të identitetit të humbur diku në transicionin e mundësive majt – djathtë, perendim – lindje autori shpreh dilemen e cila u bë preokupim shqetësues i publikut në sallën kamertale të Teatrit ne AAB ku si parapremierë u shfaq monodrama “Torba” autor dhe regjisor: Naser Shatrolli, në interpretim të Leonard Hamitaj.
Në një situatë të “budallme” në të cilën e vendos Shatrolli personazhin duke injektuar dilemen se cila kohë politike është e vërtetë me pikëpyetjen se mos dikur ishte më mirë se sot duke nxjerr në pah shenjën e një degradimi tē gjithçkajes sot deri në vetëmohim dhe kjo amulli vjenë si pasojë e mungesës së sistemit të vlerave. Nuk ka ideologji kauzë apo sistem që na bie tamam ngase askush nuk po i rri besnik as kauzës as ideologjisë së proklamuar, të gjitha ambalazhohen me politikë e cila bëhet temë për debate televizive në mëshiren e analistëve. Liria e lënduar nga abuzimet politike duke lënë varret e mbetura hapur që thërrasin për një ndërgjegjësim të heshtjes intelektuale për të ndërruar kursin e rrjedhave të jetës shoqërore të ambalazhuara me puropolitikë e cila ndërtohet bazuar në delirin simpatizant. Personazhi i Shatrollit në çaste dëshprimi thërret dëshmorët për të gjykuar kohën e cila ka tretur amanetin e tyre si një zë këlthitës nga zemra e plasur thërret zërat e mbyllur në burgun e heshtjes. Kjo është tema e shfaqjes “Torba” individi në kërkim të vetvetes duke kaluar nëpër labirinthet e sistemeve politike ku dominon mendësia komuniste prej s’ciles asesi te shërohet personazhi i cili krijon pilot projektin e tij si një variantë me intonime ironike në raport me aktualitetin.
Si gjuhë teatrore e mbështetur në një tekst domethënës të ngjeshur dramaturgjikisht regjisori ka lëvizur shenjat përmes rekuizitave të cilave u jep kuptime të ndryshme nga skena në skenë. Qizmet si dhunë fizike dhe shpirtnore janë idioma skenike të mirëpërdorura për t’na e zbërthyer tekstin me një mizanskenë të pastër, estetikish të formësuar. Gurët që asocojnë përpjekjen e Sizifit, lulja e pashijuar e dashurisë ngase dashuria nuk është më ndjenjë që përmbushë porse është bërë mjet përdorimi e reduktuar në nevojë fiziologjike. Baulja(në titull Torba) e cila nuk u hap sepse ashtu mbante tensionin e shfaqjes me kërcnimin se po u hap shndërrohet në kuti të Pandores dhe çka del prej aty kush e di ku shkon. E ne ecim lëvizim flasim debatojmë e shashtisemi po askund nuk shkojmë referencon shfaqja. Sillemi në një rreth vicioz. Në pamundësi të ndryshoj(më) diçka personazhi në fund nxjerr lotin nga nukleusi i shpirtit si një thirrje për ndërprerjen e gereves së heshtjes intelektuale. Aktori Leonard Hamitaj ishte inkorporuar bindshëm në thellësin e temes te cilen e trajtonte shfaqja. Me një diciplinë skenike të admirueshme ngadal e sukesivisht e mblidhi pezmin dhe dhembjen për ta derdhur si mesazh tek spektatorët me masën e duhur emocionale pa patetikë e shtirje. Lëvizje harmonike, menaxhim mjeshtror i situatave skenike të dizejnuar nga regjisori Shatrolli. Secilin mendim e argumenton bukur me gjendjen të cilën e krijon mjeshtrisht gjatë ecjes, veprimit fizik të kondenzuar por shumë domethënës, shpërthimeve emocionale dhe komunikimit aktiv me rekuizitat duke e “përkthyer” monologun në dialog. „